Gati 10 për qind e familjeve nuk kanë çati mbi krye


Një në gjashtë fëmijë romë në Qarkun e Fierit është me aftësi të kufizuara. Shifrat tronditëse, që flasin për 171 fëmijë me paaftësi, në 1000 të tillë, janë zyrtare, të evidentuara në statistikat e Zyrës Rajonale të Shërbimit Social në Fier. Sipas evidencës së muajit prill 2012 të kësaj zyre, në Qarkun e Fierit jetojnë 1740 familje rome, me një popullsi të përgjithshme prej 6810 banorësh. Nga këta, rreth 671 janë të moshuar, ndërsa fëmijë rreth 1000. Prej këtyre të fundit, 171 rezultojnë të jenë fëmijë me aftësi të kufizuara. Nga burime pranë Zyrës së Shërbimeve Sociale mësohet se një nga faktorët kryesorë të lindjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara është ndotja e lartë mjedisore, për shkak se familjet rome jetojnë kryesisht në zona ku nxirret dhe përpunohet nafta dhe gazi. Ndërkaq, një tjetër shkak mësohet të jenë edhe martesat e kryera brenda grupimeve të kufizuara të këtij komuniteti, që sjellin anomali te fëmijët e lindur. Sipas evidencës së sipërcituar, janë konstatuar 68 fëmijë jetimë të cilët kanë humbur prindërit dhe që jetojnë me të afërm. Ndërsa 30 fëmijë rezultojnë që të jetojnë në rrugë, duke mos pasur një strehë apo përkujdesje. Ndërkaq, braktisja e shkollës prej këtyre fëmijëve rezulton të jetë masive. Janë rreth 140 fëmijë të evidentuar të cilët e kanë braktisur shkollën përgjithnjë. Por kategoria e fëmijëve nuk është e vetmja që ndihet e penalizuar në këtë komunitet. Gati gjithë të rinjtë dhe të rejat rezultojnë të papuna. Janë konstatuar 585 prej tyre, të cilët janë në moshë pune dhe janë duke e kërkuar një të tillë, pa mundur ta sigurojnë ende. Por, ky studim ka konkluduar edhe në diçka pozitive tek të rinjtë e komunitetit rom në Qarkun e Fierit. Nuk rezulton të ketë asnjë të ri që të jetë përdorues droge apo të ketë sjellje kriminale. Veç fëmijëve dhe të rinjve, edhe kategoria e grave rezulton të jetë në vështirësi të mëdha social-ekonomike. Kështu, rreth 332 gra rezultojnë të jenë të papuna dhe 87 të tjera u duhet të jenë kryefamiljare dhe të organizojnë familjet e tyre, pasi janë të veja ose të braktisura nga bashkëshortët. Ndërsa gra të divorcuara rezultojnë të jenë 62 dhe viktima të prostitucionit janë 14 femra të tjera. Ndërkaq, burrat rezultojnë të jenë të vetëpunësuar, megjithëse pjesa më e madhe nuk janë të siguruar. Por, jo të gjitha familjet e komunitetit rom e gëzojnë mundësinë e pasjes së një çatie mbi kokë. Janë 118 familje rome në këtë qark, të cilat nuk disponojnë banesa. Ndërkaq, kanë banesa brenda normave 1362 familje dhe janë duke riparuar shtëpitë e vjetra 335 familje të tjera. Por, edhe pse jetojnë në kushte të vështira ekonomike, nga këto 1740 familje rome, trajtohen me ndihmë ekonomike vetëm 128, ndërsa të tjerat duhet të përballen vetë me papunësinë dhe integrimin e tyre në tregun e punës.


Edmond Hoxhaj


 


Fëmijët


1000: Është numri i fëmijëve romë në Qarkun e Fierit


171: Fëmijë konsiderohen me aftësi të kufizuara


68: Fëmijë jetimë jetojnë me të afërm të tyre


30: Fëmijë janë të braktisur dhe jetojnë në rrugë


140: Fëmijë e kanë braktisur shkollën përgjithnjë


Harta: Romët në Qarkun e Fierit janë të përqendruar në disa komuna: Në Levan 600 familje, në Fermë Çlirim 350, në Grabian 265, në Dërmënas 230, në Roskovec 140, në Mbrostar 120 dhe në Dushk 35 familje