Fier, zjarrfikëset pa karburant, punonjësit shpenzojnë pagat e tyre në rast emergjence


Punonjësit marrin karburant borxh ose e paguajnë me paratë e xhepit për rastet e urgjencave


PREFEKT ZJARRFIKESI 1Tenderi për sigurimin e karburantit për sistemin e zjarrfikësve në qytetin e Fierit ende nuk ka përfunduar. Procedurat nuk janë mbyllur në kohë e për pasojë punonjësve u është dashur ta blejnë me paratë e tyre karburantin ose ta kërkojnë borxh nga pikat e furnizimit për të shuar 16 vatra zjarri, raste të emergjencës regjistruar në këtë qytet. Prefekti i qarkut ka ngritur problemin ndërkohë që sipas tij, veç shqetësimit të mungesës së lëndës së parë për të përballuar emergjencat dhe pajisjet, automjetet që përdorin zjarrfikësit e këtij qyteti janë amortizuar tërësisht dhe punojnë me vështirësi. Zjarrfikëset e Qarkut të Fierit janë gati jashtë funksionimit të tyre për shkak të amortizimit të tejskajshëm duke rrezikuar dhënien e shërbimit në raste rëniesh të zjarrit në këtë stinë të nxehtë.


Por, veç makinave të amortizuara të zjarrfikëseve, punonjësit e këtij shërbimi tashmë po përballen prej disa muajsh me mungesën e karburantit. Në këto kushte, ata janë detyruar që shpeshherë të shpenzojnë paratë e pagës së tyre për t’u shërbyer qytetarëve në nevojë. Një fakt i tillë është pohuar për mediat edhe nga Prefekti i Qarkut të Fierit, Shkëlqim Murataj, i cili theksoi se prej kohësh mungon karburanti për zjarrfikëset. “Ka disa kohë që nuk ka më karburant për zjarrfikëset e Qarkut të Fierit. Kjo ka ndodhur për shkak të vonesës së kryerjes së tenderit të karburantit që nevojitet për to. I kemi bërë kërkesë ministrisë përkatëse që të mundësojë zhvillimin e këtij tenderi, pasi jemi në stinën më të nxehtë kur edhe zjarret janë më të shpeshta. Deri tani gjithë emergjencat janë përballur nga vetë punonjësit e zjarrfikëseve. Dua të theksoj se ne kemi kërkuar që të mundësohet edhe zëvendësimi i mjeteve të zjarrfikëseve me të reja, pasi ato aktuale janë të amortizuara”, ka shpjeguar prefekti Murataj. Ndërkohë, punonjësit e zjarrfikëseve kanë shpjeguar se ata janë duke punuar në mënyrë vullnetare e duke shpenzuar pagat e tyre. Kjo, pasi sipas tyre u është dashur që të shuajnë 16 vatra zjarri në zona të ndryshme të Qarkut të Fierit dhe se gjithçka e kanë shpenzuar vetë. Ata pohojnë se janë detyruar të marrin karburant borxh nga pikat e shitjes, ose në disa raste e kanë blerë karburantin me paratë e xhepit. Mungesa e karburantit dhe amortizimi i zjarrfikëseve e bëjnë jo eficient këtë shërbim, edhe pse punonjësit shprehen se do të jenë gjithmonë vigjilentë e do shërbejnë atje ku ka nevojë, edhe nëse u duhet të paguajnë ata vetë. E.H.