Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të evidentuara në kontrollin e një ngarkese prej 27 tonësh mish derri, të importuar nga Brazili nga kompania KING-MIT.
Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe përgjegjësive të secilit prej punonjësve, si dhe zhvillimit të dy seancave dëgjimore.
Masat disiplinore të largimit nga detyra janë dhënë për inspektorin L.B., i cili shërbente në Pikën e Kalimit Kufitar të Durrësit, si dhe për tre inspektorët E.T., K.K. dhe M.G., pjesë e Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier.
Sipas konstatimeve, inspektori në Durrës nuk kishte kryer verifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, nuk kishte kontrolluar stabilimentin e autorizuar për eksport dhe as vërtetësinë e certifikatës përkatëse. Këto mangësi kanë bërë të mundur kalimin e ngarkesës në kundërshtim me procedurat ligjore.
Ndërkohë, për tre inspektorët në Fier janë evidentuar mangësi në kontrollin e dokumenteve, mosidentifikim i të gjitha shkeljeve dhe vendosje e një mase administrative që nuk ishte në përputhje me seriozitetin e shkeljeve të konstatuara.
Në vijim të këtij vendimi, Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar gjithashtu verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës.
Rasti u bë publik më herët nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, i cili ngriti dyshime për dokumentacionin e falsifikuar të 27 tonëve mish derri dhe mënyrën se si institucionet trajtuan këtë çështje.
