Protestat antiamerikane, të cilat morën shkas nga një film amerikan që fyen Islamin dhe profetin Muhamed, nuk kanë të ndalur në Lindjen e Mesme, por ditën e sotme janë shtrirë edhe në vende të tjera si në Australi dhe Turqi, ndërkohë që në shënjestër të protestuesve të zemëruar janë vënë edhe selitë diplomatike të vendeve të tjera si Britania e Madhe dhe Gjermania. Protestat kanë qenë të dhunshme sidomos në Tunizi dhe Sudan, ku janë shënuar edhe 8 viktima, ndërsa në vendet e tjera kanë qenë disi më të qeta.


Vala e protestave anti-amerikane u përhap ditën e sotme edhe në Australi. Qindra persona u përleshen me policinë në Sidnei, përpara konsullatës amerikane, ndërkohë që edhe në sheshin qëndror të Stambollit qindra persona kanë protestuar në mënyrë paqësore dhe me banderola ku shkruheshin parulla antiamerikane, duke e cilësuar filmin ‘Pafajësia e Myslimanëve’ si një provokim i pastër ndaj botës myslimane. Protesta u regjistruan edhe në Nigeri, Jordani, Pakistan dhe Marok.


Një kontingjent i marinës amerikane ka arritur në Sana të Jemenit, ku forcat e sigurisë kanë luftuar me një turmë të madhe njerëzish që bënin përpjekje të marshonin para ambasadës amerikane.


Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënoi sulmet kundër selive diplomatike në Afrikën Veriore, Bashkimi Europian u kërkoi udhëheqësve të vendeve arabe dhe myslimane për të bërë menjëherë thirrje për paqe dhe maturi, ndërsa sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton theksoi edhe njëherë se qeveria amerikane distancohet nga filmi blasfemik që shkaktoi zemërimin e myslimanëve në Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera, ndërsa bëri edhe një herë thirrje që qeveritë e këtyre vendeve të bëjnë të pamundurën për të ndalur dhunën e pakuptimtë ndaj selive diplomatike amerikane.

15 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)