gjykataFituan 530 mijë euro më anë të mashtrimit, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë bashkëpunëtorin e tretë, më origjinë kroate. Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku, janë dënuar në 2013, me 10 vite burg secili, ndërsa kroati Damir Miserda, pritet të gjykohet gjatë ditëve në vijim. Tre personat e lartpërmendur, kishin ndërtuar një skemë të mirëfilltë piramidale.


Ata rekrutonin qytetarë, për tu “bërë” seminare të ndryshme trajnimi, duke u thënë se me anë të dijeve që do të merrnin, do të kishin sukses në biznes. Këta persona me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, kanë bindur 300 persona për t’u anëtarësuar në shoqërinë “Eu…”, e cila vepron në shërbim të shoqërisë “G…”, subjekte këto të regjistruara në Shkup, Maqedoni. Në momentin e anëtarësimit, subjektet e dëmtuara kanë paguar secili shumën 2290 euro, që shpërndahej ndërmjet shoqërive dhe përfaqësuesve të saj.


Në këtë mënyrë të pandehurit kanë përvetësuar shumën 532.163 euro. Të dëmtuarit në momentet që dorëzonin paratë për “kurset e trajnimit”, nënshkruanin një marrëveshje që nuk kishin të drejtë rimarrjen e parave. Pasi kuptonin që kishin rënë pre e një mashtrimi, u jepej mundësia që t’i rifitonin paratë, duke rekrutuar persona të tjerë në skemën piramidale. Për çdo anëtarë të ri, pala e dëmtuar përfitonte rreth 540 euro.


Si pasojë e kësaj ata gënjenin të njohurit e tyre, duke i bindur që të jepnin 2290 euro, tre personave të lartpërmendur. Takimet e “viktimave” që ftoheshin të bëheshin anëtarë të shoqërive, janë kryer fillimisht në Shkup dhe më pas në Ohër e Tiranë, në hotele të ndryshme.


Në këto organizime nuk trajtohej asnjë mënyrë për përfitimin e dijeve, krijimin e eksperiencës apo rritjen e aftësive profesionale. E vetmja mënyrë që u shpjegohej pjesëmarrësve për të arritur suksesin dhe fitimet monetare, ishte gjetja dhe rekrutimi i anëtareve te rinj. Ky proces ka vazhduar në mënyrë graduale, duke zgjeruar bazën e saj piramidale.


 


5 tetor 2014 (gazeta-Shqip.com)