750 milionë euro investime humbi Serbia nga tërheqja e dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump nga projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.

Njoftimin e bëri vetë Aleksandar Vuçiç, i cili u shpreh se vendit të tij iu bë një dëm i madh. Sipas planit të Jared Kushner, kompania e investimeve “Affinity Partners” kishte planifikuar ngritjen e një kompleksi banimi dhe biznesi me markën Trump në vendin ku ndodhen aktualisht ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999. Por sipas Vuçiç, për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim shumë të vlefshëm.

“Ne patëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël, ose më i dobët, që u bë me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë. Duket se disa popuj i kuptojnë më mirë vendimet e udhëheqësve të tyre sesa populli ynë, ose një pjesë e opozitës sonë politike e gatshme të veprojë kundër interesave të vendit të vet”, tha Vuçic, duke iu referuar planit të Kushnerit për investime në Ishullin e Sazani.

Projektit në Serbi iu kundërvunë protestuesit antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët, të cilët mbështesin ruajtjen e statusit të monumentit kulturor dhe rindërtimin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm.

Njoftimi për tërheqjen e kompanisë së Kushnerit u publikua më 15 dhjetor, në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviç, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të monumentit kulturor ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.