Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protesta e zhvilluar prej më shumë se 50 ditësh përpara Kryeministrisë ka qenë një moment reflektimi për qeverinë dhe Partinë Socialiste.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal te rezultati i zgjedhjeve të fundit, duke e cilësuar fitoren me 83 mandate si një sukses të madh politik, por edhe si një përgjegjësi që rrit ndjeshëm pritshmëritë e qytetarëve.
Sipas kreut të qeverisë, shumica dërrmuese parlamentare i ka dhënë Partisë Socialiste mundësinë për të vijuar reformat dhe procesin e transformimit të vendit, por në të njëjtën kohë ka bërë që qytetarët t’ia atribuojnë qeverisë çdo problem apo pakënaqësi që hasin në jetën e përditshme.
Rama theksoi se sa më e madhe të jetë mbështetja elektorale, aq më i madh bëhet edhe presioni për të përmbushur pritshmëritë e publikut, duke pranuar se diferenca mes asaj që është realizuar dhe asaj që qytetarët presin krijon pakënaqësi.
“Fitorja me 83 mandate është një bekim, sepse na dha mundësinë të vazhdojmë transformimin e vendit. Por është edhe një barrë, sepse çdo problem që perceptohet nga qytetarët bie mbi ne. Sa më e madhe të jetë fitorja, aq më të larta bëhen pritshmëritë dhe aq më e ndjeshme është përplasja mes realitetit dhe asaj që njerëzit presin nga qeveria”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se sot qytetarët i krahasojnë standardet e jetesës dhe shërbimet publike me ato të vendeve më të zhvilluara të Europës, çka sipas tij e bën edhe më të vështirë përmbushjen e pritshmërive ndaj qeverisë.
