Fiks Fare vijoi të publikojë denoncimet e radhës të bizneseve dhe qytetarëve të ndryshëm ndaj Elton Tozajt, një ish-banor i Big Brother Albania, i cili u mori para dhe telefona, duke u hequr si punonjës i brendshëm i televizionit Top Channel.
Emisioni investigativ faktoi me zë, figurë, por edhe dokumente, se ky person ka mashtruar disa persona të tjerë, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke pretenduar se “njeh pronarët e televizionit”.
Në këto biseda, Tozaj thotë se “ka fituar një tender për telefona në Top Channel” dhe u kërkon mostra bizneseve dhe qytetarëve. Një mashtrim i pastër, pasi televizioni kombëtar nuk ka bërë asnjë tender të tillë, aq më tepër të shpallë fitues këtë individ.
Disa ditë më parë, Fiks Fare dokumentoi dy raste mashtrimi, një në qytetin e Korçës, ku Tozaj i kishte marrë një biznesi 3 telefonë “Iphone 17 Pro Max”, me vlerë rreth 5.200 euro. Pretendimi ishte se, 1 telefon do e mbante për vete dhe 2 të tjerët i donin drejtuesit e Top Channel. Gjatë ballafaqimit me gazetarët e emisionit investigativ, Tozaj tha se “e kam kryer pagesën 2-3 ditë më përpara”.
Fiks Fare kontaktoi sërish me biznesin e dyqaneve të telefonave në qytetin e Korçës. Pronari tha se, pas ballafaqimit në polici, s’ka marrë asnjë pagesë nga Elton Tozaj. Sipas tij, Eltoni gënjeu në intervistë se e ka kryer pagesën!
“Jo, jo s’ka kthyer asnjë gjë. Ka premtuar ka që në tetor që do t’a kthej shumën, nuk ka kthyer asnjë gjë. Kemi bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Korçës, në Sektorin e Krimit Ekonomik, që bëhet mbi vlerën 1 milionë lekë të vjetra bëhet denoncimi aty. Rreth 2-3 javë më para më kanë marrë nga Drejtoria e Policisë, për t’u paraqitur te Drejtoria se ka ardhur personi në fjalë”- thotë pronari.
Sipas tij, në ballafaqim Tozaj nuk e mohoi. “Bëri një deklaratë dhe firmosi aty që ia kam lekët, po më tha s’më kishte dhënë kuponin. Gënjen, se unë kuponin e kam pasur gjithmonë. Tha do të vij në Korçë, të sjellë lekët, do t’i hedh në numrin e llogarisë. Më dërgo numrin e llogarisë më tha, do t’i kaloj nga Top Channel-i, nga llogaria e Top Channel-it, nuk e bëri”- pohon pronari.
Më tej ai pohon se, të tria faturat e telefonit i ka depozituar te Drejtoria e Policisë në Korçë. “Ia dërgova dhe këtij, mi ço mua më tha do t’i jap lekët, do t’i dërgoj lekët që në 15 janar, akoma lekët asnjë gjë. Vajta të takoja atë prokuroren këtu që kishte çështjen. Ai roja i prokurorisë i tha ka ardhur filani. I tha ka çështje me mua, po! Unë i thashë jam pala e dëmtuar. Jo bëj kërkesë, dërgoje me zarf në postë t’më takosh mua. Nuk lejohet të më takosh. Tani e kanë lëvizur atë prokuroren, e kanë shpjerë në Elbasan. Tani ku di unë, do hidhet short kush prokuror do t’a marrë tani prapë çështjen. Hiç o kotë asnjë gjë, e lënë”- thotë ai.
Sipas tij, deri më tani drejtësia s’ka vepruar. “Ata për shembull duhet të bënin urdhër-arresti. Ai ka tërë ato mashtrime, ç’është kjo del tjetri në televizor përditë. Dhe kur e pashë atë që kishte thënë që ia dhashë para 3 ditësh s’është e vërtetë. Kur e pashë në televizor që ia kam dhënë para 3 ditëve, s’më ka dhënë asnjë gjë. As 1 mijë lekë të vjetra. Asnjë pagesë s’ka bërë”-thotë ai.
Fiks Fare ka siguruar një tjetër vendim të Gjykatës së Shkallës së Korçës, i datës 7 prill 2025, ku rezulton se Elton Tozaj është dënuar me 6 muaj burg, i akuzuar për mashtrim. Në vendim citohet se, Tozaj i kishte thënë pronarëve të një biznesi se kishte njohje në ministri apo bashki dhe kishte në dorë shumë tendera. Një ministri kishte hapur një tender për pajisje elektronike në një shumë prej 34 mijë eurosh.
Bisedat janë të vitit 2022, ku Tozaj i mori një qytetari 1 celular “iPhone 13 Pro Max”, 1 laptop, të cilat në atë kohë kushtuar 2.500 euro. Gjithashtu, Tozaj u mori edhe një shumë prej 75.000 lekë, me pretendimin se do hapte një numër NIPT-i. Edhe pas vendimit të gjykatës, Eltoni s’ia ka kthyer paratë.
Ndërkohë, në redaksinë e emisionit Fiks Fare ka mbërritur një tjetër denoncim, nga një qytetare. Ajo thotë se, në muajin gusht të vitit 2025 ka kontaktuar në rrjete sociale me Eltonin, pasi ky i fundit reklamonte një vaksinë për dobësim, vaksinë që e kishte përdorur edhe një ish-banore e Big Brother. Ai i kërkoi 430 euro, pagesë të cilën qytetarja e ka kryer në atë kohë.
Disa muaj më vonë, Eltoni e ka telefonuar duke i treguar se “sapo kishte fituar një tender në Top Channel për telefona”. Ai pretendoi se ishte në praninë e drejtuesve të Top Channel, teksa i kërkoi qytetares 2 telefonë si mostra. “Me njohjet e mia, i dhashë 2 telefonë. 1 iPhonë 16 Pro Max dhe një Samsung 25 Ultra. Të dy kanë vlerën e 2.100 eurove. Më premtoi se paratë do t’mi dërgonte sapo të merrte pagesën nga televizioni. Ende sot e kësaj ditë s’më ka sjellë as vaksinën dhe s’më ka kthyer telefonët” pohon qytetarja.
Sipas saj, ai ka bërë një manovër, duke i kaluar një shumë në llogarinë bankare, por më pas e ka anuluar. Një ditë pas kësaj interviste, qytetarja kontakton me Eltonin, i cili i premton se do t‘i kthejë të gjithë shumën ditën e mërkurë. “Unë po të them deri ditën e mërkurë do të të kontaktojë mamaja ime dhe do të të likuidoi. Mamaja. Do të marrë mamaja ime deri ditën e mërkurë. Taksirat i asaj se 72 vjeçe” i thotë ai. Një skemë që e ka përdorur pothuajse me të gjitha rastet.
Top Channel
