Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur sot për protestat që ka paralajmëraur prej disakohësh.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se i sugjeron grupit parlamentar, që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet. Sipas tij kjo bëhet për shkak se opozita nuk është lejuar të flasë në Kuvend.

Megjithatë, Berisha theksoi se edhe në parlament opozita do vijojë aktivitetin e saj.

“Çka do të thotë shkelmim i Kushtetutës, rregullores së parlamentit, rendit kushtetues të vendit. Çka do të thotë mohim i të drejtave të opozitës.

Plas çdo skandal, jo tanimë kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë. Në këto kushte do i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet.

Pas 9 seancash, opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament. Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët. Kjo përbën një hap të domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament të opozitës, të pluralizmit, shkelmimit të ligjeve, të Kushtetutës, në funksionimin e këtij institucioni.

Kjo nuk do të thotë bojkot i parlamentit, jo. Por kjo do të thotë se opozita do zhvillojë betejë edhe brenda parlamentit. Ajo ka të gjithë potencialin, të gjithë trashëgiminë dhe kësaj dhune të pandërprerë, kësaj mbyllje goje të opozitës në parlament, ajo do i përgjigjet me mjete adekuate, si në komisione, ashtu edhe në sallën e parlamentit. Së pari.

Së dyti, kjo është opozita e votës së dhunuar. Kjo është mazhoranca e zgjedhjeve të vjedhura. Protestat kombëtare janë tejet të vonuara dhe së shpejti do komunikojnë para jush protestën e parë kombëtare dhe pastaj në vazhdim, ku ftojmë të gjithë ata qytetarë që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kundër një regjimi që e ka konfiskuar atë, e ka vjedhur atë”, tha Berisha.