Fredi Beleri, i cili është dënuar në Shqipëri për korrupsion zgjedhor dhe aktualisht është eurodeputet i partisë Nea Demokracia në Greqi, mbajti fjalimin e tij të parë në Parlamentin Europian.

Në seancën e Parlamentit Europian që po zhvillohet në Strasburg, Beleri, i cili është i lindur në Shqipëri dhe tani përfaqëson pakicën greke, e përdori këtë mundësi për të kritikur reformat në Shqipëri.

Ai tha se vendi po largohet nga parimet europiane dhe se reformat në drejtësi po kthehen në “bomba totalitare” që kërcënojnë themelet e shtetit demokratik.

Beleri i përmendi kolegëve të tij se, edhe pse Shqipëria është një vend aspirant për t’u bashkuar me Bashkimi Europian, situata aktuale tregon se reformat e financuara nga BE mund të përdoren për të ndikuar negativisht në demokraci.

Në fjalën e tij, Beleri përmendi gjithashtu se ka kaluar 16 muaj në burg dhe se është liruar me kusht.

Ai theksoi se, edhe pse ka pretenduar pafajësi, SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) e kishte dënuar për blerje votash gjatë zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, një akuzë që ai e ka mohuar gjithmonë.

Reagimet për fjalimin e Belerit vijnë në një kohë kur ndërkombëtarët, përfshirë SHBA-në dhe BE-në, kanë mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri, ndonëse Beleri ka pretenduar se është viktimë e një ndjekjeje politike.