Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Vlorës, duke vështirësuar ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.

Një prej vatrave është regjistruar në zonën e Kriporës, pranë fshatit Panaja. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët dhe shkurre, ndërsa zjarrfikësit ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.

Ndërkohë, një tjetër vatër është aktive në kodrat e fshatit Kot, në bashkinë Selenicë. Zjarri ka përfshirë edhe sipërfaqe me ullishte dhe vijon të përparojë në terren.

Era e fortë dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Shërbimet e Selenicës vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e vatrës, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.