Një furgon me targa të Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune në afërsi të një pikëpushimi për shoferët në Lushnjë, pranë rrugës që të çon në Këmishtaj.

Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se, automjeti po transportonte një ngarkesë me zogj të vegjël të fushës, të cilët po importoheshin nga Maqedonia e Veriut. Drejtuesi i furgonit e ka konstatuar zjarrin vetëm pasi ka dalë nga autostrada dhe ka marrë kthesën në drejtim të Këmishtajt.

Pas njoftimit të marrë, shërbimet e zjarrfikëses së Lushnjës kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, duke ndërhyrë për të shuar flakët që kishin përfshirë kabinën e drejtuesit. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, dëmet kanë qenë të mëdha: një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës është dëmtuar dhe më shumë se gjysma e zogjve kanë ngordhur.

Sipas vlerësimeve paraprake nga shërbimi zjarrfikës i Lushnjës, dyshohet se zjarri ka startuar si pasojë e një defekti teknik në sistemin e kondicionimit në pjesën e prapme ku mbahej ngarkesa. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.