Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e sotme kodrat me ullishte në fshatin Gorishovë të Fierit, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullinj dhe masiv pyjor.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era, duke alarmuar banorët e zonës. Në vendngjarje janë nisur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, zjarri dyshohet se nisi pasi një 78-vjeçar, me inicialet P. M., kishte ndezur mbeturina në tokën e tij. Era e fortë ka bërë që flakët të dalin jashtë kontrollit dhe të përhapen drejt sipërfaqeve përreth.
Në rrezik kanë qenë edhe ullishtet, ku ndodhen pemë shekullore, ndërsa terreni i vështirë ka krijuar vështirësi për ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Pas ngjarjes, 78-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, ku po kryhen veprimet procedurale për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive.
Ndërkohë, ekipet në terren vijojnë luftën me flakët, ndërsa autoritetet po monitorojnë zonën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
