Pas Tiranës, Shkodra bëhet qyteti i dytë që nisi procesin e vaksinimit. Ashtu si ndodhi edhe në kryeqytet vaksinimi nisi për personelin shëndetësor të qytetit Shkodrës, ndërkohë që në ditën e parë morën vaksinën edhe një grup mjekësh e infermierësh nga Lezha.
Ditët e parë janë kryer 150 vaksinime, ndërkohë që sipas autoriteteve të shëndetësisë mendohet që kjo shifër të dyfishohet në ditët në vijim, duke shkuar në 300 vaksinime në ditë.
Por ajo që është e veçanta për Shkodrën është se në këtë qytet do të nisë zbatimi i strategjisë së kombinuar të vaksinimit, ku krahas personelit shëndetësor do të vaksinohet edhe mosha e tretë që jeton në shtëpitë e të moshuarve, qofshin ato publike apo private.
Ditën e djeshme u vaksinuan edhe disa të moshuar, të cilët sot folën për “Wake Up”, ku treguan se si është gjendja e tyre shëndetësore pas marrjes së dozës së parë.
“Isha i pari që bëra vaksinën. E ndiej veten shumë të rregull, asnjë dhimbje nuk kam ndjerë. Unë nuk kam pasur frikë të bëj vaksinën. Atyre që kanë frikë u hedh hiqni zemrën e lepurit dhe merrni të luanit”, tha një i moshuar.
Një tjetër e moshuar u shpreh: “Sot ndihem mirë. Me thënë të drejtën kam pasur shumë frikë, për shkak të problemeve të tjera shëndetësore, diagnozave që kam.Kisha frikë ta bëja, edhe pesha, hipertensioni etj. Mendoja se do më bënte keq. Pyeta disa njerëz të mi dhe më thanë bëjë, bëjë.
Pyeta edhe disa mjekë që jam paciente e tyre dhe më thanë ta bëj. Stres e para, por nuk e tregova veten, e bëra dhe s’kam asnjë pasojë tani. As temperaturë e asgjë”.
Ndërsa, drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër, Fatjon Hoxha theksoi se dje janë bërë 46 vaksina. “Nuk kanë pasur komplikacione, çdo gjë ka shkuar mirë. Ka pasur edhe nga ata që kanë qenë skeptikë”, tha Hoxha.