Pëllumb Islami nga Delvina, me profesion hidraulik, u vra aksidentalisht dje në një lokal në Athinë, pasi bandat shqiptare u përleshën me armë, Në ngjarjen kriminale janë përshirë 7 persona, mes të cilëve janë identifikuar 3 prej tyre.

Familjarët e viktimës presin trupin e pajetë e Islamit i cili do të varroset të premten në mesditë në Shqipëri. Gruaja e vëllait, pra kunata e Islamit, ka treguar për mediat greke momentet e fundit të jetës së shqiptarit, i cili punonte si hidraulik.

“Kemi mësuar se ai kishte dalë jashtë për të shpëtuar sapo dëgjoi të shtënat dhe aty u godit. Me shumë mundësi e ka kuptuar çfarë po ndodhte dhe po vraponte për t’u larguar, por nuk ia doli dot. Ai po fliste me kamarieren më herët dhe e pyeti se kush ishin ata (grupi tjetër i shqiptarëve) sepse nuk i njihte. Kur i pa teksa ziheshin, ai u thërriti dhe u tha: Qetësohuni djema, qetësohuni.

Nuk njihte asnjë prej tyre. Nuk kishte të bënte fare me ta. Nuk është se shkonte shpesh në atë lokal. Nuk e di nëse shkonte shpesh për t’i parë ndeshjet siç bëri të martën. Ishte shumë punëtor dhe i qetë”, theksoi ajo.