Kryeministri Edi Rama, gjatë podcast-it “Flasim”, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te situata në Bashkinë e Tiranës dhe dekretimi i presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

Rama tha se Tirana mbeti pa kryebashkiak si pasojë e një “zhvillimi brutal të drejtësisë” dhe një procesi me “standarde të dyshimta”. Ai theksoi se vendimi i presidentit është plotësisht ligjor dhe se ata që e vënë në dyshim “thjesht nuk e njohin ligjin”.

“Më 9 nëntor, qytetarët e Tiranës do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Situata në kryeqytet është e jashtëzakonshme për disa arsye — Tirana mbeti pa drejtues si pasojë e një procesi gjyqësor të ashpër dhe me standarde të dyshimta, por qyteti nuk mund të mbetet në pritje,” tha Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për procesin e integrimit evropian, duke bërë të ditur se Shqipëria ka hapur tashmë 28 kapituj të negociatave me BE-në dhe synon që vitin e ardhshëm të nisë mbylljen e tyre.

“Shqipëria ia dorëzoi Danimarkës stafetën e Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Kemi hapur 28 kapituj të negociatave dhe mbeten vetëm pesë. Vitin e ardhshëm do të fillojmë mbylljen e tyre,” u shpreh Rama.

Gjithashtu, ai përmendi marrëveshjen e re me Universitetin Politeknik, e cila synon t’u ofrojë të rinjve më shumë mundësi praktike dhe punësimi. Sipas Ramës, OSHEE ka krijuar tashmë mbi 300 vende pune për të rinjtë nëpërmjet këtij bashkëpunimi.

Në fund, Rama përmendi edhe Ilir Rusmalin, këshilltarin aktual të presidentit Begaj dhe ish-ministër i drejtësisë në qeverinë e PD-së, duke e vlerësuar për integritetin e tij dhe distancimin nga “korrupsioni që degradoi deri në tragjedinë e Gërdecit”.