Ditën e djeshme ministrja e Brendshme Albana Koçiu shkarkoi nga detyra zv.ministrin Andi Mahila, për shkak se ishte fotografuar duke pirë cigare brenda një lokali, në shkelje të ligjit.
Sot në “Shqipëria Live” ka folur Bledar Hasa, personi që e fotografoi zv.ministrin, duke treguar ndjesitë e tij pas shkarkimit por dhe si arriti që ta bënte atë foto. Ai tha se nuk i vjen mirë që një person të pushohet nga puna për ketë arsye, ama një funksionar i lartë shtetëror nuk mund të shkelë ligjin në këtë mënyrë.
“Unë isha në një lokal në bllok me familjen dhe ky njeri pa pyetur fare, pa përgjegjshmëri ndezi cigaren. Unë tentova t’i afrohesha që t’i thosha fike, por kamerierët më thanë të lutem lëre se është zv.ministër i Brendshëm. Aty e kuptova. Më erdhi keq për ata djemtë që nuk dinin ç’të bënin.
Nuk më hiqej nga mendja fakti që një funksionar i lartë shteti shkel ligjin në mënyrë të tillë. Foton e dërgova në kryeministri dhe në ministrinë e Brendshme. Fotoja është e vjetër. Nuk e dija çfarë kishte ndodhur, një shok më tha dje. Më habiti reagimi i njerëzve që thonë se mund të ishte toleruar. Kur je funksionar i lartë shtetit, ti je i përgjegjshëm për atë që po bën dhe që po shkel ligjin. Nuk është kënaqësi të shohësh njerëzit të hiqen nga puna për gjëra të tilla, por më vjen mirë sepse shoqëria jonë duhet të zbatojë rregullat. Nëse nuk zbatohen rregullat nga aty ku dalin, çfarë mund të presim nga shoqëria më tej.”- tha ai.