Një 58-vjeçar grek ka humbur jetën nga dhuna fizike e ushtruar nga një 29-vjeçar shqiptar. Ngjarja ka ndodhur në Neo Kosmo të Athinës. Fillimisht u mendua se shkak i vdekjes ishte aksidenti automobilistik, por ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi shenja dhune tek 58-vjeçari grek.
Nga kamerat e sigurisë është identifikuar autori, shtetasi shqiptar Igli Shano, 29 vjec, nga Bilishti. Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, ndërkohë që në pranga ka rënë edhe babai i tij, Mondi Shano, i cili akuzohet për tentativën e fshehjes së motorit të djalit. Videoja e rrahjes brutale për vdekje e 58-vjeçarit grek në Neos Kosmos të Athinës, është zbuluar nga mediat greke.
Sipas një dëshmie në dispozicion të autoriteteve, autori dyshohet se e ka kapur burrin nga koka dhe e ka goditur vazhdimisht në timon. Siç raportuan burimet policore, makina e viktimës ishte e mbuluar me gjak, “madje edhe xhami i përparmë ishte i thyer”.
Shano ka rrëfyer se e ka goditur viktimën, pas një grindjeje për të drejtën e kalimit në rrugë, duke e ndjekur 58-vjeçarin dhe goditur atë për vdekje. Në deklaratat e tij, avokati i 29-vjeçarit, Ioannis Glykas, deklaroi se pa veprimet e viktimës, nuk do të kishte pasur autor. Kjo do të thotë se nëse 58-vjeçari nuk do ta kishte spërkatur 29-vjeçarin me sprej, ky i fundit nuk do ta kishte sulmuar. Së fundmi, ai deklaroi se asgjë nuk justifikon marrjen e jetës.
