Në të njëjtën ditë kur ish-kryeministri konfirmonte se do paraqitej nëse pyetej nga SPAK, prokurori i posaçëm Alfred Shehu siç tregojnë shkresat përgatiti urdhrin për ta pyetur ish kryeministrin si person që ka dijeni për 21 janarin.

Kërkesa ndaj ish-kryeministrit është që Sali Berisha të paraqitet të premten në orën 10:00. Kjo shkresë që mban datën 7 nëntor dhe TCH disponon bëhet me dije se prokurori, i cili po heton kallëzimin e familjes së Aleks Nikës thotë se për nevoja të hetimit me urdhrin e datës 3 nëntor 2025 urdhërohet thirrja e shtetasit Sali Berisha.

Gazetarja Anila Hoxha solli detajet për “Top Story”:

“Sikurse është bërë e ditur jozyrtarisht këtë të premte, në orën 10:00 Sali Berisha është thirrur në SPAK.

Kërkesa e parë ishte ajo e datës 3 nëntor. Kjo ftesë nuk është marrë dhe nuk është bërë i mundur njoftimi i ish-kryeministrit. Më 7 nëntor, prokurori ka nisur kërkesën sërish që do të ketë cilësinë e deklaruesit që do të hedhë detaje më tepër sa i përket hetimit që lidhen me 21 Janarin. Ish-kryeministri ka bërë të ditur që s’ka pasur dijeni.

Hetimet nisën pas kallëzimit të familjes Nika, e cila kishte nisur një odise me drejtësinë shqiptare. Kishte dhënë gjykimin e saj Gjykata e Strasburgut. Kjo është kërkesa e dytë që ish-kryeministri të paraqitet.

Do të shihet nëse ai do e pranojë këtë ftesë”. /Top Channel/