Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në pikën kufitare mes Shqipëri dhe Greqi, ku qytetarët kanë pritur për më shumë se dy orë për të kaluar kufirin. Sipas udhëtarëve dhe drejtuesve të automjeteve, vonesat kanë ardhur si pasojë e procedurave të ngadalta nga pala greke në kontrollin kufitar.
Qytetarët shprehen se pala shqiptare po kryen procedurat normalisht, ndërsa në anën greke kontrolli po zhvillohet më ngadalë, duke krijuar radhë kilometrike.
Disa prej tyre pretendojnë se po favorizohen shtetasit grekë në kalimin e kufirit, ndërsa shtetasit e huaj po detyrohen të presin për një kohë të gjatë në radhë. Situata ka shkaktuar pakënaqësi tek udhëtarët, të cilët raportojnë pritje mbi dy orë për të kaluar në territorin grek.
