Mbi 130 fëmijë dhe të rritur janë paraqitur për ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Pogradecit, si pasojë e virozave sezonale dhe gripit, duke krijuar një fluks të lartë pacientësh. Sipas mjekëve, më të prekurit janë fëmijët dhe të moshuarit.
Shefi i shërbimit spitalor në Pogradec, Bexhet Liçkollari, bën me dije se rritja e rasteve ka nisur që në prag të Krishtlindjeve, fillimisht në pediatri dhe më pas edhe në urgjencën e përgjithshme. Ai thekson se virozat e rrugëve të frymëmarrjes, të shoqëruara me virusin e influencës, kanë prekur të gjitha grupmoshat e fëmijëve, ndërsa çdo 24 orë paraqiten rreth 60–70 fëmijë për vizita mjekësore.
Sipas mjekëve, edhe numri i fëmijëve të shtruar në spital është i konsiderueshëm. Vetëm në 10 ditët e fundit janë regjistruar rreth 100 shtrime në repartin e pediatrisë, me pacientë të moshave të ndryshme.
Fluks i ngjashëm vihet re edhe në urgjencën e të rriturve, ku gjatë ditëve të fundit janë paraqitur rreth 70 pacientë me simptoma të virozave, gastroenteriteve, tonsiliteve dhe temperaturave të larta.
Mjekët këshillojnë qytetarët që të kërkojnë ndihmë mjekësore që në ditët e para të shfaqjes së simptomave, për të shmangur komplikacionet. Kujdes i veçantë rekomandohet për personat me sëmundje kardiake, pasi temperaturat e ulëta mund të përkeqësojnë gjendjen e tyre shëndetësore.
