Muaji gusht ka sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve në Portin e Durrësit, ku mijëra pasagjerë kanë mbërritur nga Italia përmes trageteve të linjave detare.

Vetëm gjatë paradites së sotme, tre tragete sollën në vend rreth 2900 pasagjerë dhe mbi 900 automjete, ndërsa gjatë mbrëmjes pritet mbërritja e rreth 2000 udhëtarëve të tjerë.

Fluksi përfshin si anëtarë të diasporës shqiptare që rikthehen për pushime, ashtu edhe turistë të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion veror.

Mes tyre ka edhe vizitorë që mbërrijnë për arsye të kombinuara, si turizmi dentar. “Vijmë për turizëm dentar. Na duhet të shkojmë në një klinikë dentare. Është hera e dytë që vijmë këtu dhe shpresojmë ta përfundojmë trajtimin e më pas të pushojmë pak”, tha një prej turistëve.

Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, gjatë shtatë muajve të parë të vitit nga ky port kanë udhëtuar rreth 349 mijë pasagjerë. Nga këta, 54% kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 46% kanë udhëtuar drejt porteve italiane.

Vetëm gjatë muajit korrik, mbi 83 mijë persona kanë mbërritur në vend përmes trageteve, duke shënuar një rritje prej rreth 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për përballimin e fluksit të lartë të udhëtarëve, vijojnë lundrimet e dyfishta të trageteve në linjat detare me Italinë, me qëllim shmangien e vonesave dhe menaxhimin e sezonit turistik.