Sot, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës shënoi fluturimin e tij të parë, një moment historik që simbolizon fillimin zyrtar të operimit të aeroportit më të ri në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e hapjes dhe e cilësoi këtë ngjarje si një arritje të madhe, duke nënvizuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e infrastrukturës dhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fjalimin e tij, Rama theksoi se ky aeroport është një sfidë e kapërcyer me sukses, duke garantuar standarde të larta sigurie dhe shërbimi. Ai e vlerësoi punën e përkushtuar të stafit dhe nënvizoi faktin se ky projekt është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Shumë urime dhe me këmbë të mbarë për të gjithë punonjësit që janë këtu të pranishëm. Të falënderoj grupin e ardhur nga Kosova që janë këtu të pranishëm dhe shpreh besimin se kjo shqiponjë 2 krenare që është krijuar në trupin e aeroportit me burime njerëzore nga Kosova e Shqipëria do ta ngrenë shumë lart emrin e aeroportit për cilësinë e shërbimit,” tha Rama.

Për më tepër, kryeministri u shpreh se ndërtimi i aeroportit ishte një proces i vështirë, ku struktura e tij u ngrit 2 metra mbi nivelin e tokës për të siguruar një platformë solide dhe me parametra të lartë sigurie, që do të certifikohen nga institucione ndërkombëtare.