Kërkohet që Amerika të rrisë taksat për të ulur deficitin dhe borxhin publik
SHBA-ja ka nevojë për një plan të balancuar dhe tërësor për të zgjidhur problemet e veta fiskale, plane që duhet të përfshijnë uljen e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave buxhetore, bëri të ditur dje kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Këndvështrimi im është se mënyra më e mirë për të ecur përpara është pasja e një përqasjeje të balancuar që merr parasysh njëkohësisht rritjen e të ardhurave, gjë që ju e dini, nënkupton qoftë rritjen e taksave, qoftë krijimin e burimeve të reja të të ardhurave, si dhe uljen e shpenzimeve”, tha drejtoresha menaxheriale e FMN-së, Christine Lagarde, në një intervistë të dhënë për rrjetin televiziv CNN.
Lagarde diskutoi mendimet e saj mbi problemin e pritshëm amerikan të njohur si “shkëmbi fiskal”, një kombinim automatik ulje shpenzimesh dhe rritje taksash që pritet të godasin vendin nga fillimi i vitit 2013 në rast se ligjvënësit nuk arrijnë në një marrëveshje për ndryshimin e ligjeve aktuale.
Presidenti Barack Obama dhe udhëheqësit e kongresit janë duke u përpjekur për të biseduar një mënyrë për të shmangur “shkëmbin para humnerës”, me përmasa 600 miliardë dollarë. Në pak javë në SHBA skadojnë disa reduktime taksash për të pasurit që u vendosën në kohën e Presidentit Bush, si dhe disa programe federale shpenzimesh buxhetore. Dy palët politike janë përplasur aktualisht për faktin nëse taksat duhet të rriten dhe sa dhe nëse shpenzimet buxhetore duhet të ulen dhe në çfarë përmasash. Mosarritja e një marrëveshjeje, do të sjellë skadimin e ligjeve aktuale dhe amerikanët mund të përballen me më pak para të disponueshme për shpenzim. Shumica e analistëve thonë se nëse politikanët nuk arrijnë marrëveshje për të zbutur efektin e përfundimit të njëhershëm të shumë programeve qeveritare, ekonomia amerikane do të pësojë rënie vitin e ardhshëm.
Në intervistën e saj për CNN, Lagarde tha se “shkëmbi fiskal” është kërcënimi më i madh për ekonominë amerikane, madje një kërcënim edhe më i madh se sa çfarë po ndodh në eurozonë apo çfarë mund të ndodhë në Kinë.
Ekonomia amerikane është “më pak e prekshme nga çfarë ndodh jashtë vendit, për shembull, në Europë”, tha Lagarde. “Nuk po them se nuk do të ketë pasoja nga një krizë që mund të ndodhë në Europë. Por pasojat do të jenë relativisht të vogla”.
Sipas saj, Amerika është më e ekspozuar ndaj vështirësive të brendshme se sa çfarë ndodh në pjesën tjetër të botës për shkak se është një lojtar i madh. Lagarde u shpreh optimiste se ligjvënësit do të dalin me një zgjidhje para se të mbërrijë dita e “shkëmbit”.
“Besimi im i ka rrënjët në afeksionin që unë kam për Shtetet e Bashkuara”, tha ajo. “Unë besoj se ka një ndjenjë të të qenët praktik, në zgjidhjen e problemeve dhe jo në sorollatjen për shmangien e përballjeve me problemet”.