Policia arreston dhe procedon disa pensionistë. Burri nxirrte gruan 60-vjeçare dhe disa “shoqe” të saj të prostituonin kundrejt 200-500 lekëve


Pranga prostitutave 60-vjeçarë, ngritën vatër në qytetin e Durrësit


Një çift 60-vjeçarësh është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni. Nadin Mehmeti shfrytëzonte bashkëjetuesen e tij L.V dhe disa “shoqe” të saj për prostitucion, kundrejt pagesës 200-500 lekë. Policia ka arritur të zbulojë vatrën në një apartament dhe së bashku me tutorin, prostitutat pensioniste janë gjetur edhe disa persona të tjerë.


Burimet zyrtare nga policia e këtij qyteti kanë thënë se dje, Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Durrës kreu goditjen e aktivitetit të shfrytëzimit e ushtrimit të prostitucionit në një banesë në lagjen nr. 17 të këtij qyteti.


Në orën 19:00 të ditës së hënë u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese” dhe “prostitucion” i shtetasve: Nadin Mehmeti, 60 vjeç, banues në Durrës, L.V, 60 vjeçe, banuese në Durrës.


“Arrestimi i këtyre shtetasve u krye për arsye se shtetasi Nadin Mehmeti, i cili bashkëjeton me shtetasen L.V, e ka shfrytëzuar këtë të fundit për qëllime prostitucioni kundrejt shumës prej 500 lekësh në banesën e tij në lagjen nr. 17 në Durrës, duke siguruar klientelë”, pohojnë burimet nga policia.


Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit me iniciale L.Xh, 50 vjeçe, banuese në Durrës, K.K, 64 vjeçe, banuese në Durrës. L.M, 53 vjeçe, banuese në Shkodër, Q.Sh, 55 vjeçe, banuese në Shijak dhe A.S 70 vjeç banues në Durrës, të cilët u kapën në flagrancë në banesën e shtetasit Nadin Mehmeti duke ushtruar prostitucion kundrejt shumave që varionin nga 200 deri në 500 lekë.


“Pas hetimeve të para, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprat penale të ‘prostitucionit’ dhe ‘dhënies së shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit’” pohon policia.