Kryeministri Edi Rama ka prezantuar publikisht arkitektin e peizazhit Dong Yugan, i cili është kontraktuar nga investitorët e projektit të Zvërnecit për të udhëhequr konsulencën mbi mbrojtjen dhe zhvillimin e peizazhit natyror të zonës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Yugan si një nga figurat më të njohura në fushën e arkitekturës së peizazhit dhe pasues të arkitektit të njohur kinez Kongjian Yu. Sipas tij, Dong Yugan prezantoi vizionin e studios ndërkombëtare Turenscape gjatë Festivalit Bread&Heart në Tiranë, duke tërhequr vëmendjen e arkitektëve dhe ekspertëve të pranishëm.
Kryeministri theksoi se përfshirja e studios prestigjioze në projekt është një garanci se investimi në Zvërnec do të zhvillohet në harmoni me natyrën dhe pa dëmtuar peizazhin e mbrojtur.
Rama mbrojti sërish projektin prej miliarda eurosh, duke deklaruar se ai do të sjellë zhvillim dhe do të kthehet në një model të ri bashkëjetese mes investimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
