Matura
Harizaj: Vendet vakante do të rishpërndahen. Asnjë kuotë nuk do shkojë dëm
Shpresa Mezini
Edhe sivjet, njësoj si në vitet e kaluara të Maturës Shtetërore, vendet bosh nuk do të digjen, por do të rishpërndahen. Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, të gjitha vendet vakante, ato të cilat nuk janë plotësuar për shkak të largimeve të të rinjve drejt universiteteve perëndimore apo të atyre që janë mbetës edhe pas sezonit të vjeshtës.
Nga të dhënat e deritanishme të AKP-së mësohet se numri i kandidatëve për student që kanë aplikuar për të studiuar përtej kufijve të vendit është rreth 5 mijë, ndërsa nuk dihet numri i mbetësve të këtij procesi, pasi nuk janë shpallur ende rezultatet e sesionit të dytë të maturës, ato të vjeshtës.
Këtë vit do të ketë dy faza fituesish, paraprake dhe përfundimtare. Fituesit e parë janë shpallur tashmë në të gjitha universitetet e vendit, ndërsa pritet publikimi i listës së dytë.
Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, regjistrimet kanë nisur më datë 18 shtator, ndërsa pritet të përfundojnë më datë 22 të po këtij muaji, vetëm 5 ditë kohë në dispozicion.
Kjo, sipas specialistëve të arsimit, në kuadër të regjistrimit elektronik, që aplikohet sivjet për herë të parë, si për të shmangur radhët në sekretari dhe për të shkurtuar kohë, pasi regjistrimi manual zgjaste rreth 2 javë.
Sivjet, si asnjë vit tjetër, Ministria e Arsimit ka vendosur që të regjistruarit në fazën e parë të mos çregjistrohen, pra regjistrimi i tyre i parë të konsiderohet si përfundimtari. Ndërkohë në përvojat e kaluara ka funksionuar plotësisht ndryshe. Duke iu referuar udhëzimit që parashikon procedurat e regjistrimit, rezultonte se fituesit e fazës paraprake do të regjistroheshin në degën ku ishin shpallur fitues, por nëse në listën e dytë ishin fitues në një degë më sipërore, do të duhet të bënin çregjistrim për t’u regjistruar sërish, por këtë herë tek kjo e dyta. Specialistët e arsimit sqarojnë për gazetën “Shqip” se për të shmangur këto procedura, që kërkonin kohë, por që në më të shumtën e rasteve kanë krijuar keqkuptime te nxënësit menduan që sivjet të aplikonin një praktikë tërësisht të re. Ajo e realizimit të procesit elektronik të regjistrimit, çka do të lehtësojë formalitetet dhe do t’u krijojë më shumë mundësi të rinjve për të vendosur. Drejtori i AKP-së sqaron se kjo praktikë nuk do të jetë përfundimtare, pasi të drejtën e marrjes së këtij vendimi do ta kenë vetë nxënësit. Kështu ata do të zgjedhin të studiojnë në degën ku janë shpallur fitues në fazën e parë ose do të preferojnë të çregjistrohen për tu regjistruar në degën sipërore ku janë shpallur fitues në fazën përfundimtare. Mësohet se marrja e këtij vendimi do të bëhet konkrete në një formular, ku vetë nxënësi do të kërkojë të çregjistrohet apo të ndjekë studimet në degën e parë.
Risia – Nxënësit do ta vendosin vetë nëse duan të çregjistrohen nga dega ku janë shpallur fitues në listën e parë ose jo
Procesi – Regjistrimet kanë nisur më datë 18 shtator, ndërsa pritet të përfundojnë më datë 22 të po këtij muaji
Statistikat – Numri i kandidatëve për student që kanë aplikuar për të studiuar përtej kufijve të vendit është rreth 5 mijë