Pas arrestimit të Ragip Gilës, autorit të masakrës së ndodhur mëngjesin e 8 shtatorit në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, policia gjeti disa arme.
Sipas hetimeve, Gila përdori një automat MP5, prodhim izraelit, si dhe një pistoletë, me të cilat qëlloi brenda lokalit “Idromeno”, në qendër të qytetit.
Gjithashtu, në banesën e hallës së Ibrahim Licit u gjetën të tjera armë, të cilat janë dërguar në laborator për ekspertizë. Kjo shtëpi dyshohet se shërbente si bazë për Barushin (alias Bajram Bregu) dhe një 17-vjeçar, të shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të Gilës.
Nga atentati humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, truprojë i Erogen Vaso-s, i cili mbeti i plagosur dhe dyshohet se ishte shënjestra kryesore e sulmit. Mes të plagosurve ishte edhe një kamariere 25-vjeçare, e cila ndodhej në vendngjarje gjatë të shtënave.