Prej orës 11:00 të paradites, qarkullimi në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas është i bllokuar, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet. Shkak për situatën e rëndë janë bërë rrëshqitjet masive të gurëve që kanë rënë mbi trasenë e rrugës, në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.
Masat e mëdha shkëmbore kanë mbulluar plotësisht segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar sigurinë e drejtuesve. Qytetarët kanë mbetur të bllokuar në trafik, teksa ky aks është një nga më të rëndësishmit që lidh Librazhdin me Juglindjen e Shqipërisë.
Në terren ndodhen forca të shtuara të Policisë Rrugore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po përpiqen të menaxhojnë trafikun. Ndërkohë, pritet ndërhyrja e mjeteve nga kompanite që mirëmbajnë këtë segment.






