Forcat e rendit kanë zhvilluar mbrëmjen e sotme një aksion “blic” në zonën e Skelës, në Vlorë, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Operacioni vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë, ku një 17-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet luksoz tip “Porsche”. Gjatë aksionit, policia ka ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës, duke ndaluar për verifikim automjetet luksoze dhe ato me xhama të zinj.

Burime bëjnë me dije se kontrollet janë përqendruar tek personat me precedentë penalë, ata që janë në kërkim, si dhe tek qytetarët që mund të mbajnë armë të ftohta apo armë zjarri pa leje. Aksioni pritet të vijojë edhe në zonat e tjera të qytetit, si pjesë e një operacioni të gjerë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe forcimin e rendit publik në Vlorë.