Detaje të reja nga plagosja e 26-vjeçarit, Kostandin Ziu, të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Korçë. Konflikti mund të ketë nisur në prani edhe të një vajze.

Policia dyshon se autori, Jorgo Rustemi është larguar nga vendngjarja së bashku me vajzën me një mjet tjetër ndërkohë që në vendngjarje kanë lënë një mjet me qera që është përdorur nga autori më parë, mjet tek i cili policia ka kryer kontrolle gjatë mbrëmjes të së enjtes.

Ndërkohë policia është vënë në kërkim të autorit që nga momenti i identifikimit ndërsa për ngjarjen janë pyetur dhjetëra persona që mund të kenë qenë dëshmitarë në momentin e plagosjes.

Sa i përket të plagosurit, sipas bluzave të bardha në spitalin e Tiranës 26 vjeçari ka rënë në koma.

Jorgo Rustem është i njohur për policinë e Korçës pasi është arrestuar në vitin 2020 nën akuzën e shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike, ku ka vuajtur dënimin në burgun e Drenovës.

Rustemi është liruar në shtator të vitit 2023, e aty ku është njohur me 26 vjeçarin Kostandin Ziu, i cili vuante dënimin për të njëjtën akuzë.

Ziu në vitin 2022, u transferua drejt burgut të Peqinit dhe sipas burimeve të Policisë, Rustemi e Ziu gjatë kohëve të fundit shoqëroheshin së bashku në qytetin e Korçës.