Vila e diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-bllokut, është shndërruar në një ambient të hapur e kulturor, e nga sot do të jetë rezidencë artistike për të pritur artistët shqiptarë dhe të huaj në organizimin e ngjarjeve kulturore. Rezidenca do quhet Vila 31 dhe Art Explora, emri i fondacionit që po realizon projektin.

Godina i është nënshtruar një rikonstruktimi së fundmi, teksa vijon të ruajë pamjen që ka patur kur aty banonte Hoxha dhe familja e tij.

Gjatë prezantimit të projektit, kryeministri Edi Rama u shpreh ndër të tjera se kjo qendër është një “shtëpi e degjenerimit modernist”, një simbol i lirisë dhe krijimtarisë që kundërshton shtypjen e së shkuarës.

“Besoj se gjëja më e duhur që duhej bërë në këtë hapësirë ishte koj që u bë. Që kjo hapësirë të përdoret për të bërë gjërat që Enver Hoxha do i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër. kjo ka qenë në fakt motoja shtytëse në mendjen tonë. Çfarëdo gjë që të bëjmë aty të bëjmë që Enver Hoxha të rrotullohet në varr me pendesë. Nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën ishte çdo shprehje e asaj që ata e quanin degjenerimi modernist. Kjo do jetë një shtëpi e degjenerimit modernist. Nuk ka më bukur se këtë hapësirë ta përdorin artistët e rinj dhe të reja nga e gjithë bota. Krimet i keni në muzeun e Gjethes, keni Bunkartin. Jemi duke punuar për muzeun të përndjekjes në Shkodër.

Çfarë do uji që ti japësh gomarit ja ke dhënë me temperaturën e gabuar. Kur bëmë Bunkartin shpërtheu histeria se po kthehet e shkuara. Për të dytin vajtën me kazma dhe me dy gishta që të shembej bunkeri. U vu statuja e Stalinit dhe Leninit si një gjest vetëironie, uuu, sido që ta bësh këtu. Kemi bërë këtë zgjedhje, kemi bërë zgjedhjen e duhur. Ka ardhur si rezultat i një kohe të gjatë reflektimi. Ripërdorimi duke përqeshur historinë por pa e fshirë, është gjëja më e pjekur dhe shëruese me të kaluarën”-, tha Rama.