Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ushtruar kontrolle në burgun e Fierit, ku janë gjetur sende të paligjshme në qelitë e të burgosurve. Gjatë kontrollit janë gjeturm 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, disa bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike si dhe lëndë e dyshuar narkotike e konstatuar në dy vende të ndryshme.
Paralelisht, gjatë një kontrolli të brendshëm të kryer nga strukturat e IEVP Fier, njërit prej të ndaluarve iu konstatuan pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje gjatë kontrollit me skaner. Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe përfaqësuesit e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në izolim për vijimin e veprimeve procedurale.
Njoftimi i plotë:
Nga informacioni i marrë në mënyrë operative nga Drejtoria e Analizës dhe Vlerësimit të Riskut në DPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kontrollet për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara kanë vijuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier.
Në kuadër të këtyre masave, Forcat Operacionale të DPB-së kanë ushtruar kontroll në ambientet e institucionit, ku në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” janë konstatuar dhe sekuestruar: 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.
Për rastin janë hartuar raportet përkatëse të incidentit dhe procesverbalet e bllokimit, ndërsa është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për ndjekjen e procedurave të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë një kontrolli të kryer nga strukturat e vetë IEVP Fier, të dënuarit A.M., gjatë verifikimit në skaner, iu konstatuan pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje. Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe specialistët e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në veçim.








