Andrew Boland, shtetasi amerikan i zhdukur prej rreth dy muajsh, është gjetur në Shirokë të Shkodrës falë një banori.

Ramazan Sela, i cili e pa dhe e identifikoi menjëherë personin, e ndoqi, e fotografoi dhe njoftoi policinë, duke kontribuar drejtpërdrejt në zgjidhjen e rastit ka rrëfyer detajet e momentit të gjetjes.

Sela tregoi se ai e ka parë Bolandin në zonën e quajtur “Ishulli i Shagarisë” duke hyrë në Shirokë.

“E dallova menjëherë, ishte 100% ai. E kisha parë në emisionin tuaj javën e kaluar”, tha Sela.

Sela tha se ai e ndoqi me makinë për disa kilometra në drejtim të fshatit Zogaj, duke tentuar të komunikojë me të dhe duke marrë dëshmitarë për siguri.

“Nuk u frikësua, por ecte vetëm, pa u ndalur. Ishte në gjendje të rëndë, i dobët”, shtoi ai.

Ramazani tha se tentoi për t’i ofruar ujë, por ai e ka refuzuar. Pas kësaj Ramazani tregon se njoftoi policinë dhe bëri foto, të cilat i dërgoi edhe për emisionin “Në Kohë Reale”.

Ramazan Sela u shpreh se veproi thjesht si detyrë njerëzore: “Nuk kam bërë gjë të madhe, vetëm ndalova, mora telefonin dhe njoftova policinë. Nesër mund të ndodhë me cilindo”.

Nga ana e tij, avokati i familjes, Vladimir Sadikaj, falënderoi qytetarin Ramazan Sela për “qytetarinë e tij të lartë” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qytetarëve, policisë dhe institucioneve.

“Shpesh njerëz shohin raste të tilla por nuk ndërhyjnë. Ky është një qytetar i përgjegjshëm”, u shpreh Sadikaj.

Ai konfirmoi se Boland, i cili vuan nga një sëmundje kronike mendore, nuk ka shenja dhune apo keqtrajtimi. Sipas tij, Andrew po merr kujdes mjekësor në Shkodër, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shëndetësore lokale dhe ambasadës amerikane.

“E rëndësishme është që në momentin që ju njoftuat shërbimet policore dhe zinxhiri hierarkik i kujdesit shëndetësor, policia, spitali, kujdesi shëndetësor dhe nën kujdesin dhe të veprimeve të ambasadës amerikane, ai është në kujdes shëndetësor. Në vijim unë do të doja të relatoja lidhur me faktin që edhe atë që relatuam radhën e kaluar domethënë javën e kaluar për sensibilizimin që ky zinxhir domethënë i bashkëpunimit të institucioneve përveç policisë dhe prokurorisë i policimit në komunitet pa bashkëpunimi qytetar nuk mund të ndodhë.

Pra ne prisim nga policia që në qoftë se ai do ndodhej në kufij të ndalohej në kuptimin e mirë të fjalës që të njoftojë familja. Janë qytetarë shqiptarë dhe veçanërisht shkodranë. ai shkodrani që unë e falënderoj përsëri që e konstatoi dhe njoftoi shërbimet dhe një qytetar i përgjegjshëm bëri atë që familjes t’i vijë buzëqeshja pasi ai është një person me sëmundje kronike. Nuk dua të ndalem pasi u trajtua shumë thellë nga psikologja përkatës emisionin e kaluar, por ai është një sëmurë kronik me shenja klinike të shfaqua, është konstatuar në atë gjendje që ata kanë ndihmuar me pantofla, lakuriq që i kanë dhënë rroba e kanë ushqyer”, u shpreh avokati.

Avokati bëri të ditur se familjarët, duke përfshirë babanë dhe një nip nga Gjermania, janë nisur drejt Shqipërisë për ta takuar dhe për ta kthyer në shtëpi.