Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ku një 67-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij.

Viktima është identifikuar si Viktor Bardhi. Në pamjet nga vendngjarja dallohen shenjat e plumbave në automjet, ndërsa në zonë kanë mbërritur forcat e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua me armë zjarri në vitin 2023 në Mirditë. Vrasja e tij në atë kohë u dyshua se kishte ardhur si pasojë e një konflikti të hershëm dhe hakmarrjes.

Ndërkohë, një tjetër element që po hetohet nga autoritetet është gjetja e një automjeti të djegur në fshatin Munaz. Grupi hetimor po verifikon nëse makina mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Viktor Bardhit.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motivit dhe dinamikës së ngjarjes.