Sahit Shpataj është i riu të cilit iu sekuestrua makina me vlerë 160 mijë euro ‘Lamborghini Urus’ nga Policia e Tiranës. Të riut i është bërë 2 herë postobllok nga policia dhe nuk ka ndaluar asnjëherë dhe mbrëmjen e djeshme u mor vendimi për sekuestrimin e makinës. Dyshohet se kjo makinë vjen nga burime kriminale pasi i riu jeton në Amerikën Latine.

Shpataj nuk është emër i panjohur për policinë e Tiranës. Një ndër veprat penale për të cilat ai ka rënë në pranga më parë është regjistruar në vitin 2014, kur ky i fundit u prezantohej çifteve në rrugë si punonjës policie dhe më pas i grabiste nën kërcënimin e armës. Ngjarjet e përsëritura ishin shënuar kryesisht në Kthesën e Kamzës, Tiranë.

Sipas policisë Sahit Shpataj ndalonte automjetet që kalonin në vendin e lartpërmendur, duke u hequr si punonjës i Policisë së Qarkullimit Rrugor. Ai u kërkonte drejtuesve të mjeteve dokumentet dhe më pas i kërcënonte me pistoletë, duke u marrë shuma të konsiderueshme parash dhe sende të tjera personale. Edhe në momentin që ai është arrestuar, në atë kohë 23 vjeç, ai mbante veshur uniformën e policisë.