Është zbuluar identiteti i të riut shqiptar që u gjet më 28 shtator i varur në një tabelë sinjalizimi rrugor pranë qendrës tregtare “Westland Shopping” në Bruksel. Viktima është 29-vjeçari Bekim Halilaj, me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan trupin e tij të varur për disa orë, duke bërë që kalimtarët fillimisht ta ngatërronin me dekorime festive. Vetëm pas ndërhyrjes së policisë u konstatua se bëhej fjalë për një trup të pajetë, të lidhur me kabllo pas tabelës.

Autoritetet belge po hetojnë disa pista, përfshirë edhe atë të krimit të organizuar. Edhe pse vetëvrasja nuk është përjashtuar, mënyra e gjetjes së trupit ka shtuar dyshimet se bëhet fjalë për një ekzekutim të lidhur me konfliktet mes grupeve kriminale.

E shkuara penale në Britani

Sipas mediave britanike, në vitin 2017 Halilaj ishte arrestuar në Southampton së bashku me tre shqiptarë të tjerë – Nuri Muçmataj, Fitim Halilaj dhe Tamas Hela – si pjesë e një grupi që merrej me trafikun e kokainës.

Policia britanike zbuloi se banda kishte shpërndarë mbi 4 milionë paund kokainë të klasit A në qytet. Gjatë një aksioni, autoritetet sekuestruan një furgon me 140 mijë paund kokainë të pastër dhe 30 mijë paund cash. Halilaj u arrestua në një apartament ku u gjet drogë me vlerë rreth 10 mijë paund.

Ai u dënua me 7 vite burg, ndërsa në total, katër anëtarët e grupit morën 25 vite heqje lirie. Pas vuajtjes së dënimit dhe dëbimit nga Britania, Halilaj ishte vendosur në Belgjikë.

Hetimet vijojnë

Pista kryesore e hetimit lidhet me konfliktet e trafikut të kokainës në Belgjikë, megjithatë autoritetet ende nuk kanë dalë me një version përfundimtar. Ndërkohë, pritet që trupi i viktimës të transportohet drejt Shqipërisë.