Sokol Daci, 30 vjeç, është plagosur mbrëmjen e djeshme në Lezhë në një atentat që dyshohet të ketë pasur si objekt tjetër personin që ndodhej në afërsi të tij. Gjendja e tij aktuale paraqitet stabile, ndërsa ai u transportua menjëherë në spitalin e Traumës për ndihmë më të specializuar.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Sokol Daci nuk ishte shënjestra kryesore e sulmit, por një nga katër personat që ndodheshin brenda biznesit të tij, një berberhane, në momentin kur ndodhi ngjarja.
Dyshohet se sulmi u krye nga tre individë, të cilët mbërritën në fshatin Rrilë të Lezhës me një automjet tip “Audi”. Pasi zbritën nga makina, ata qëlluan drejt berberhanes, duke e lënë Dacin të plagosur me tre plumba: një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.
Mësohet se është nipi i Nikulajve dhe ka marrë një plumb nga të shtënat me armë. Po ashtu dyshohet se prezent ka qenë dhe një punonjës policie.
Hetimet për rastin janë duke vijuar, ndërsa autorët e mundshëm të sulmit janë ende në kërkim.

