Një aksident tragjik ka ndodhur këtë mëngjes në Vorë, ku tre makina janë përplasur me njëra-tjetrën në një aksident që ka lënë pas pasoja të rënda.

Sipas informacioneve të para, Flobert Ajazi, 35 vjeç, nga Dibra ka humbur jetën në vend, ndërsa dy pasagjerë që ndodheshin në mjetin që ai drejtonte janë plagosur dhe janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

“Rreth orës 08:30, në dalje të Vorës, janë përplasur automjetet me drejtues shtetasit B. G., F. H. dhe Flobert Ajazi. Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi Flobert Ajazi35 vjeç dhe janë dëmtuar 2 pasagjerë në automjetin që drejtonte ai. Të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve”, njoftoi sot policia.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit. Deri tani, nuk dihen ende detajet e plota mbi rrethanat që çuan në këtë përplasje, por autoritetet po punojnë për të zbardhur ngjarjen.