Janë publikuar imazhet e para të Ilir Metës, në momentin kur shoqërohet nga forcat e policisë për tek Blloku i Sigurisë ‘Mine Peza’.
Nga imazhet e shkrepura shohim Metën, i cili me kokën ulur po shkon drejt furgonit të Policisë. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK pas rreth 4 vitesh hetime.
Po ashtu, është caktuar masa detyrim paraqitje për bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
GJKKO ka caktuar masën arrest shtëpie për Pirro Xhixhon, ish-kreu i AKEP, dhe babai i nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Ndërkohë, masa detyrim paraqitje është caktuar edhe për Ema Çokun, një person i afërt me Monika Kryemadhin. Ema Çoku është një personazh i njohur në kryeqytet. Ajo ka pasur në pronësi Coli’s Galleri në Bllok te Samos Toëer përballë vilës së Enver Hoxhës, si dhe një dyqan perdesh.
Ndaj Metës, i cili ka mbajtur postet më të larta të vendit, President, Kryeministër dhe Kryetar Kuvendi, rëndojnë akuzat korrupsion në 3 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash. Urdhri i SPAK për arrestimin ka ardhur në kuadër të hetimit për skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA, dosje që janë bashkuar në një bashkë me hetimin pasuror të familjes.