Mjeku imazherist i spitalit rajonal të Fierit, Gëzim Taullaj, është arrestuar pas një hetimi gati 4-mujor, pasi dyshohet se u kërkonte para pacientëve për kryerjen e ekzaminimeve me eko.

66-vjeçari u kap në flagrancë teksa merrte një shumë parash nga një pacient që do t’i nënshtrohej ekos abdominale. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Taullaj, gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në dy klinika private në Fier, në kundërshtim me detyrat funksionale.

Gjatë kontrollit në banesë, policia sekuestroi shuma të konsiderueshme parash: 1.857.000 lekë, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë, të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Çështja i është kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e rasteve të tjera të mundshme korrupsioni.