Tirana sot është kthyer në ‘kryeqytetin Europian’, teksa kryeminisria Edi Rama ka pritur një e nga një liderët e Evropës për zhvillimin e Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian.
Pritja e liderëve të kontinentit u shoqërua nga një disa grupe valltarësh të cilët përformonin nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare. Ndryshe nga samitet e tjera të organizuara në Tiranë, kësaj radhe moti nuk mbajti, por kjo nuk e ndaloi pritjen të pushtohej nga rrezatimi i liderëve. Dy orë pritje gjatë kalimit në tapetin e kuq u shoqëruan edhe nga momente epike.
Presidenti francez, Emanuel Macron mbërriti i fundit në sheshin “Skënderbej”, teksa mes liderëve është edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Liderët do t’i drejtohen më pas ambienteve të ndërtuara enkas për këtë samit pas monumentit të Skënderbeut. Pjesa ballore e këtij ambienti është veshur me vizatime të nxënësve shqiptarë se si ata e perceptojnë Europën. Fillimisht, liderët do të mblidhen në një seancë plenare dedikuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Europës.
Më pas, do të zhvillohen tri tryeza të nivelit të lartë mbi temat: siguria e Evropës dhe qëndrueshmëria demokratike; konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike përfshi sfidat e lëvizshmërisë si dhe fuqizimi i të rinjve.