28-vjeçari Erjon Vishkulli, nga Elbasani, i cili mbeti i plagosur me plumb gome gjatë protestës së djeshme në Tiranë, është kthyer në qendër të debatit publik pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për dërgimin e tij për kurim në Itali.
Rama deklaroi sot se ishte angazhuar personalisht që i riu të dërgohej për trajtim në një nga spitalet më të mira në Romë.
Pas kësaj deklarate, motra e Erjonit, Rubi Vishkulli, ka reaguar përmes një komenti në rrjetet sociale, duke kundërshtuar atë që e cilëson si përpjekje për ta përdorur ngjarjen për qëllime politike.
“Një mashtrim propagandistik i Ramës për të dalë protagonist i ngjarjes vetë dhe për ta kthyer çështjen në politikë”, shkruan ajo.
Më tej, Rubi thekson se familja ka qenë pranë njëri-tjetrit në këtë situatë të vështirë dhe mohon që mbështetja e tyre të ketë ardhur nga shteti.
“Unë jam motra e Erjon Vishkullit dhe e kam familjen time, me këtë mbështetësit e familjes sonë dhe jo shteti”, shkruan ajo, duke përfunduar reagimin me thirrjen: “Shpërndani lajme të sakta”.
Reagimi i motrës vjen pas deklaratës së kryeministrit lidhur me trajtimin e 28-vjeçarit në Itali, ndërsa rrethanat e plagosjes së tij gjatë protestës kanë tërhequr vëmendjen e publikut.

