Nata që lamë pas ishte një nga më të tmerrshmet për qytetarët e Delvinës, pasi zona u përfshi nga një prej zjarreve më të mëdha në vitet e fundit.
Flakët përfshinë zonën kodrinore në afërsi të qytetit, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të vështirë, që e pamundësonte ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Forcat zjarrfikëse të bashkive të jugut, njësi të specializuara nga Tirana, ushtria si dhe banorët vendas luftuan pa pushim për të shmangur përhapjen e flakëve drejt qytetit. Falë ndërhyrjes së tyre, zjarri u shmang nga zonat e banuara, por vatrat mbeten aktive në malësinë pranë fshatit Kakodhiq, zona nga ku besohet se nisi zjarri.
Nga tymi i dendur dhe përhapja e flakëve, rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore gjatë natës, katër prej tyre ishin pjesëtarë të forcave të ushtrisë. Ata u trajtuan në ambientet e Kinoteatrit të qytetit, i cili u kthye përkohësisht në qendër mjekësore emergjente.
Për momentin, situata në qytet është nën kontroll, por autoritetet janë në gatishmëri pasi kushtet atmosferike mund të favorizojnë riaktivizimin e flakëve. Ekipet zjarrfikëse dhe ushtria vijojnë punën në terren për të izoluar plotësisht vatrat që mbeten në zonën malore të Kakodhiqit.