Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, vijon të ndodhet në paraburgim me masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime të zgjeruara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjatë javës që lamë pas, teksa gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ndodhej pranë ambienteve të burgut të Durrësit për të xhiruar, ka arritur që të pikasë në ambientet e ajrimit Beqajn, i cili këto momente i kalon duke luajtur shah.
Kujtojmë se Beqaj akuzohet për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë, shpërdorimin e detyrës, shkeljen e barazisë në tendera, si dhe për episode që po hetohen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Akuzat kanë të bëjnë kryesisht me procedura koncesionare dhe tendera publikë, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë.
Ish-ministri ndodhet në burg që prej fillimit të korrikut 2024, kur Gjykata e Posaçme vendosi ndaj tij masën e arrestit me burg. Kjo masë është konfirmuar dhe rinovuar disa herë, me argumentin e rrezikut të prishjes së provave dhe ndikimit tek persona të tjerë nën hetim./ Top Channel


