Ka nisur dita e 9 e protestës së qytetarëve kundër projektit në Zvërnec, teksa qytetarë të shumtë janë mbledhur para kryeministrisë. Ditën e sotme ata kanë shpalosur dhe pankarta me disa kërkesa drejtuar qeverisë, por dhe institucioneve të vendit.
Mes kërkesave, përfshihet hetimi mbi projektin e investimit në Zvërnec dhe lidhjet e mundshme të qeverisë apo opzitës. Po ashtu kërkohet hetimi i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij.

MANIFEST PËR MBYLLJEN E TRANZICIONIT NË SHQIPËRI
PËR INSTITUCIONET E PAKAPURA:
THIRRJE! Forcat e Armatosura dhe institucionet e sigurisë duhet të mbrojnë integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, veçanërisht asetet me rëndësi strategjike si Sazani dhe Zvërneci, duke siguruar që çdo veprim mbi këto territore të jetë në përputhje të plotë me ligjin, interesin publik dhe kontrollin institucional.
THIRRJE! SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të hetojnë në mënyrë të pavarur, të plotë dhe të paanshme çdo vendimmarrje, kontratë, procedurë apo ndikim politik që lidhet me administrimin, dhënien në përdorim apo privatizimin e pasurive publike dhe zonave strategjike, përfshirë Sazanin, Zvërnecin dhe çdo territor tjetër me rëndësi kombëtare. Hetimi duhet të përfshijë përgjegjësinë institucionale të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të Këshillit të Ministrave dhe të çdo zyrtari publik të përfshirë në këto procese, nëse ka indicie për shkelje të ligjit, konflikt interesi, abuzim me detyrën apo cenim të interesit publik.
THIRRJE! SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të hetojnë Sali Berishën për çdo implikim të mundshëm, qoftë edhe indirekt, në çështjen e tokave të Zvërnecit, përfshirë çdo vendimmarrje apo ndikim gjatë periudhës së qeverisjes së tij. Mbi të gjitha, duhet të hapen të gjitha dosjet që lidhen me të dhe me familjen e tij, të cilët kanë statusin “non grata” nga SHBA-ja, shteti i djepit të demokracisë; aleati që mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920, si dhe aleati kryesor në ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës në vitin 1999, përballë gjenocidit serb mbi popullin shqiptar.
KRIJIMI I QEVERISË TRANSITORE:
Duhet të ndërtohet menjëherë një qeveri teknike, apartiake dhe transitore, e votuar drejtpërdrejt nga populli. Çdo ministër duhet të jetë pa lidhje me partitë politike aktuale dhe të vijë nga radhët e ekspertëve të fushave përkatëse, personaliteteve të shoqërisë shqiptare, diasporës, trevave shqiptare dhe vetë Shqipërisë. Kjo qeveri duhet të udhëhiqet nga parimet e përgjegjësisë kombëtare, integritetit publik dhe dashurisë për atdheun, duke marrë si frymëzim Dekalogun e të atdhedashurit Mit’hat Frashëri, birit të Abdyl Frashërit, një prej figurave më të ndritura të Lidhjes së Prizrenit.
PËR QEVERINË TRANSITORE:
- Veting politik i plotë për çdo politikan të akuzuar, të marrë të pandehur, të shpallur “non grata”, të lidhur me krim të organizuar, korrupsion, pastrim parash ose afera të rënda publike. 2. Veting i Policisë së Shtetit, për të pastruar institucionin nga ndikimet kriminale, politike dhe korruptive.
- Mbështetje e plotë për SPAK-un dhe BKH-në, për hetimin pa kompromis të çdo afere që ka dëmtuar interesin publik: Gërdeci, 21 Janari, dosja Ahmetaj, inceneratorët, sterilizimi dhe çdo dosje tjetër ku është grabitur shteti shqiptar.
- Zgjidhje e konflikteve pronësore përmes një komisioni të posaçëm, transparent dhe të pavarur, që i jep fund kaosit të pronave dhe padrejtësive shumëvjeçare.
- Krijimi i Ministrisë së Diasporës, si urë shtetërore me shqiptarët jashtë vendit, përmes:
“Kartës së Shtetasit të Jashtëm Shqiptar”, sipas modelit OCI të Indisë, për lidhjen institucionale të diasporës me Shqipërinë.
“Bonos së Diasporës”, si instrument financiar për zhvillim ekonomik, kulturor dhe kombëtar.
Krijimit të departamenteve të posaçme për trajtimin e problemeve të shqiptarëve në Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, çështjen e Çamërisë dhe pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës.
SHQIPËRIA E SHQIPTARËVE
