Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT)ka pezulluar dhe gjobitur pesë biznese në zonën e Dhërmiut, pas shkaktonin ndotje të konsiderueshme mjedisore.

Mësohet se masat janë marrë pas denoncimeve dhe ankesave të vazhdueshme të banorëve në lidhje me ndotjen që këto biznese po shkaktonin në zonë. Bizneset e ndëhskuara janë  “Gjoka Konstruksion”, “Gjikuria”, “Anchor Beton”, “Eral Construction Company” dhe “Beton Express 2018”, të cilat kryenin aktivitetin e fraksionimit/ndarjes së inerteve të gurit.

Njoftimi i IKMT:

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ndëshkoi me pezullim dhe gjobë pesë subjekte biznesi për ndotjen mjedisore të shkaktuar prej tyre në zonën e Dhërmiut, pjesë e Bashkisë Himarë. Marrë shkas dhe nga denoncimet e qytetarëve, Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pranë IKMT inspektoi zonat ku ushtrohet aktiviteti i fraksionimit/ndarjes së inerteve të gurit.

Për shkak të mos respektimit të kushteve të përcaktuara në lejen e lëshuar nga autoritetet mjedisore, kompanitë Gjoka Konstruksion, Gjikuria, Anchor Beton,  Eral Construction Company dhe Beton Express 2018 u ndëshkuan me gjobë dhe pezullim.  Marrë në konsideratë mbarëvajtjen e sezonit turistik, IKMT gjen rastin tu bëjë thirrje veçanërisht të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në vijën bregdetare të tregojnë vëmendje të shtuar në respektimin e detyrimeve ligjore për mjedisin.

IKMT mbetet e vendosur të mos tolerojë dhe do të ndëshkojë çdo rast të shkeljeve ligjore në fushën e ndërtimit, mjedisit dhe pyjeve.