Pas denoncimit të gazetarëve italianë të emisionit Le Iene, SPAK goditi një prej karteleve më të fuqishme të call centarave në Tiranë, me fuqi të madhe financiare, korruptuese dhe operuese në fushën e mashtrimit me pasoja të rënda përmes investimeve të rreme.

Në fokus të operacionit që dyshohet se u dekonpirua nga policia ishin tre vëllezërit nga Tropoja, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të shpallur në kërkim. 

FOTO/ Tre bosët e call centrave që goditi SPAK, rol kyç

Tre vëllezërit u informuan nga mburoja policore për të cilën paguanin çdo muaj, ndërsa SPAK arrestoi gjashtë ushtarë të tyre; Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi.

Si derivat i tre vëllezëve të call centerave po hetohet nga SPAK 29-vjeçari David Prendi, pronar i kompanisë Infinite, me zyra tek kulla “Alban Tower”, aty ku u përqëndrua operacioni i SPAK-ut. 
Nga punëtor ndërtimi në bos call centerash

Deri në vitin 2018, kur nisi të ekspozohej dhe të lëkundej perandoria e mbretit të mashtrimit Amant Josifi, Agim Prekajishte thjeshtë një punëtor ndërtimi në Itali.

Jeta e tij ndryshoi kur njohu Nazen, një operatore e zonja e call centerave në Tiranë dhe më pas një nga menaxheret kryesore e skemave të mashtrimit me vlerë dhjetëra milionë euro. 

FOTO/ Tre bosët e call centrave që goditi SPAK, rol kyç

Naze dhe Agim Prekaj

Naze dhe Agim Prekaj nisën të ndërtonin gradualisht rrjetit e tyre të mashtrimit, i cili do t’u sillte fitime marramendëse. Zonja Naze Prekaj njihet në botën e errët të call centerave si truri që qëndron pas ngritjes dhe ‘suksesit’ të rrjetit të mashtrimit të qytetarëve evropainë përmes platformave të rreme. Aktiviteti kriminal është ushtruar gjithnjë nën mbrojtje të fortë policore. 

FOTO/ Tre bosët e call centrave që goditi SPAK, rol kyç

Paratë e aktivitetit kriminal i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emrin e njerëzve të afërt dhe të besuar. Bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro euro. Vetëm përmes një ndërtuesi me emër në Tiranë dyshohet se kanë pastruar mbi 100 milionë euro. Ndërkaq, edhe pas goditjes nga SPAK, Agim Prekaj, gjitnjë nën mbrojtje e një segmenti të korruptuar në Policinë e Shtetit, po hap pika të reja call centerash nëpër Tiranë në emrin e ushtarëve të tij të besuar. 

Si u zbulua rrjeti kriminal

SPAK ka njofuar rrethanat se si ra në gjurmët e këtij rrjeti kriminal në Tiranë. Hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Hetimi u nxit edhe nga denoncimet e disa qytetarëve italianë që thanë se ishin mashtruar.

Gazetarët arritën të futeshin në Call Center duke infiltruar një shtetas italian, i cili punoi aty dhe tregoi nga brenda se si funksiononte skema. Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar një Call Center që punonte në godinën Atti Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë Katedrales Ortodokse. Nga aty, një grup i organizuar dyshohet se ka mashtruar kryesisht shtetas italianë, duke i bindur të investonin në platforma të rreme kriptomonedhash.

Paralajmërimi dhe zhvendosja e pajisjeve

Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pasi dyshohet se u njoftuan për një kontroll të mundshëm, drejtuesit e Call Center-it boshatisën zyrat në “Atti Tower” dhe larguan pajisjet gjatë natës.

‘Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve‘, thuhet në njoftim.

Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kapën 6 persona në flagrancë, teksa po transportonin pajisje kompjuterike drejt një ambienti tjetër. Një pjesë e pajisjeve po tentoheshin të asgjësoheshin.

Më pas, SPAK ka ndaluar edhe 2 persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj, rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e cila merret me Call Center dhe telemarketing.