Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Epagny të Zvicrës, ku një 42-vjeçar shqiptar, Ramiz Berisha, dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij 38-vjeçare dhe më pas i ka dhënë fund jetës duke i vënë zjarr shtëpisë ku ndodheshin.
Sipas autoriteteve zvicerane, fillimisht Berisha ka qëlluar me armë zjarri drejt gruas së tij, me të cilën kishte pasur probleme të vazhdueshme në marrëdhënien martesore. Më pas, ai ka shkaktuar zjarr në banesën e familjes, ku më vonë është gjetur i vdekur nga forcat zjarrfikëse.

Dyshohet gjithashtu se gjatë incidentit është përdorur edhe një granatë, duke ngritur dyshime se ngjarja ishte e planifikuar paraprakisht.

Ramiz Berisha, me origjinë nga komuna e Malishevës në Kosovë, sapo kishte dalë nga burgu, ku ishte dënuar për dhunë në familje ndaj bashkëshortes. Viktima kishte ngritur më parë padi ndaj tij për dhunë.
Çifti kishte katër fëmijë të mitur, të cilët fatmirësisht nuk kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.
