Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e kaluar Shkodrën, ku 33-vjeçari Ramazan Mataj u ekzekutua në automjetin e tij. Ngjarja ndodhi në zonën e Dragoçit, në Postribë, kur Mataj po lëvizte me një automjet tip “Benz” dhe është qëlluar me automatik kallashnikov, duke mbetur i vdekur në vend.

Babai i viktimës ka deklaruar për policinë se nuk ka asnjë informacion në lidhje me shkakun e ngjarjes, duke shtuar se djali i tij nuk kishte pasur probleme ose shqetësime. Komunikimi i fundit me Ramazanin kishte ndodhur mbrëmjen e kaluar, por ai nuk i kishte treguar asgjë që mund të sugjeronte një rrezik.

Një prej fqinjëve ka dëgjuar të shtënat, por për shkak të afërsisë së një lokali dasmash, ka menduar se bëhet fjalë për të shtëna nga dasmorët dhe nuk ka dyshuar për vrasjen. Pas ngjarjes, banorët e zonës kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës në automjetin e tij në orët e mëngjesit.